Kryengritja e madhe ilire
Kryengritja e Madhe Ilire e njohur edhe si Lufta Batoniane (latinisht: Bellum Batonianum; anglisht: War of the Batos) ishte një konflikt ushtarak i zhvilluar në provincën romake të Ilirikut mes viteve 6 - 9 es. në të cilin një aleancë e popullsisë vendase të dy rajoneve të Ilirikut, Dalmacisë dhe Panonisë, u rebelua kundër romakëve. Kryengritja filloi midis fiseve vendase ilire që ishin rekrutuar si trupa ndihmëse për ushtrinë romake. Ata u udhëheqën nga Bato Desidiati, një udhëheqës i Desidiatëve në pjesën qendrore të Bosnjës së sotme, ndërsa më vonë kryengritjes iu bashkuan edhe Breukët, një fis ilir nga Panonia nën udhëheqjen e Bato Breukut. Më vonë edhe shumë fise të tjera nga Iliria gjithashtu iu bashkuan revoltës.
Romakët iu referuan konfliktit si Bellum Batonianum (Lufta Batoniane) sipas këtyre dy udhëheqësve me të njëjtin emër; Velleius Paterculus e quajti atë Lufta Panoniane dhe Dalmate sepse përfshinte të dy krahinat e Ilirikut, ndërsa në anglisht është quajtur Great Illyrian Revolt (Revolta e Madhe Ilire) dhe Bato Uprising (Kryengritja e Batos).
Lufta katër vjeçare zgjati nga viti 6 deri në vitin 9 es. dhe dëshmoi një vendosmëri të madhe të fuqisë romake në krahinat ilire, me forca të mëdha ushtrake të angazhuara në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe që luftuan në më shumë se një front. [1] Në vitin 8, Breukët e luginës së Savës u dorëzuan, por u desh një bllokadë dimërore dhe një sezon tjetër luftimesh përpara se të dorëzoheshin edhe fiset ilire në Dalmaci në vitin 9. Historiani romak Suetoniusi e përshkroi kryengritjen si konfliktin më të vështirë me të cilin përballej Roma që nga Luftërat Punike dy shekuj më parë. [2]
Sfondi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Iliriku më herët kishte parë dhe përjetuar edhe luftime tjera gjatë Luftës së Madhe Civile Romake midis for cave të Jul Cesarit dhe forcave të Senatit të udhëhequr nga Pompeu disa dekada më parë. Romakët që jetonin në disa prej qyteteve bregdetare mbështesnin Cezarin, ndërsa popullata më në brendi të territorit mbështesnin kryesisht Pompeun. Quintus Cornificius, si një cezarian që ishte, e kishte zmbrapsur Quintus Octaviusin, një përkrahës ky i Pompeut. Dalmatët shpartalluan Aulus Gabiniusin, një cezarian ky, i cili ishte urdhëruar nga Cezari të bashkohej me Cornificiusin në Ilirik. Dalmatët për këtë gjë më vonë i kërkuan falje Cezarit i cili kërkoi një haraç dhe pengje si kompensim, gjë që ishte praktikë standarde e kohës, dhe dërgoi Publius Vatiniusin me tre legjione për ta zbatuar këtë. Pasi Cezari u vra në vitin 44 pes, Dalmatët kishin injoruar këto kërkesa duke shpartalluar pesë kohortat e Vatiniusit. Me ndërprerjet e shkaktuara nga luftërat e mëtejshme civile romake në vitet në vijim, [3] pirateria dalmate në Detin Adriatik u bë përsëri një problem. [4] [5]
Në vitin 35 pes, Iapidët, fisi më verior i Dalmacisë, kryen sulme në Italinë verilindore. Ata sulmuan Aquileian dhe plaçkitën Tergestusin ( Triesten ). Në vitet 35-33 pes Oktaviani (i cili së shpejti do të bëhej perandor Augustus) ndërmori fushata ushtarake në rajon. Ai mundi Iapodët dhe pastaj vazhdoi në Panoninë jugore, ku kapi qytetin Segesta (që më vonë, si qytet romak, u quajt Siscia). Ai më pas theu dalmatët dhe kapi Promonën (në jug të Kninit modern, Kroaci ) në bregdet, qyteti kryesor i Liburnëve, i cili mbahej nga Dalmatët. Pas kësaj ai mori qytetet Dalmate, Sunodium dhe Setovia. Më tutje Oktaviani vazhdoi në Derbani dhe shkatërroi disa vendbanime në ishujt Melite ( Mlet ) dhe Melaina Corcyra ( Korčula ), duke konfiskuar anijet Liburne ngase dyshohej se të gjitha ishin të përfshira në pirateri. Sekretarët e Oktavianit kryen edhe operacione të tjera në rajon. Oktaviani rivendosi përkohësisht autoritetin romak në Dalmaci dhe Panoninë jugore, e cila kurrë më parë nuk ishte arritur nga ushtritë romake. [6] [7]
Në vitin 27 pes, zgjidhja e parë midis Oktavianit dhe Senatit Romak zyrtarizoi sundimin absolut të Oktavianit, duke i dhuruar titullin Augustus dhe duke e bërë atë perandorin e parë romak. Gjithashtu u bënë riorganizime në krahinat e perandorisë. Shumica e provincave mbetën provinca senatoriale, ndërsa qeveritarët e tyre u zgjodhën nga Senati nga radhët e senatorëve, ndërsa provincat kufitare u bënë provinca perandorake, qeveritarët e të cilëve u emëruan nga Augusti. Hapësira e Ilirikut ishte e përbërë nga Dalmacia dhe Panonia jugore e pushtuar rishtazi, dhe, megjithëse ishte një provincë kufitare, u përcaktua si një provincë senatoriale. [8]
Nga viti 14 pes deri në vitin 10 pes, pati një seri kryengritjesh në Panoninë Jugore dhe Dalmacinë veriore, të cilat shkrimtarët romakë i quajtën Bellum Panomicum (Lufta Panoniane). Ajo që dihet për këto ngjarje vjen kryesisht nga tregime të shkurtra nga Cassius Dio dhe disa referenca nga autorë të tjerë, megjithëse nuk ka asnjë informacion në lidhje me shkaqet e kryengritjes. Burimet romake kishin pak interes për ngjarjet në Iliri dhe fushatat e Augustit në vitet 35–33 pes deri në vitin 16 pes. Cassius Dio shkruan se në atë vit guvernatori i Ilirisë për vitet 17–16 pes, Publius Silius Nerva, shkoi të luftojë në Alpet Italiane sepse atje nuk kishte trupa. Disa Panonianë dhe Norikanë hynë në Istria duke e mashtruar atë mirëpo Silius Nerva shpejt e futi situatën nën kontroll. Në të njëjtën kohë pati një kryengritje të vogël në Dalmaci. Dentheletët, së bashku me Skordiskët, të cilët jetonin në Serbinë e sotme në luginën e lumenjve Savus (Sava), Dravus ( Drava ) dhe Danub, sulmuan provincën romake të Maqedonisë. Një luftë civile shpërtheu edhe në Thraki. Në vitin 15 pes, Romakët pushtuan Skordiskët dhe aneksuan Norikun duke kryer edhe operacione të tjera në pjesë të tjera të Alpeve kundër Rhaetëve dhe Vindelicëve. [9] Në vitin 13 pes, Augusti i dha Marcus Vipsanius Agripas, aleatit të tij më të rëndësishëm, komandën supreme të Ilirikut. Agripa gjeti një zgjidhje të negociuar; megjithatë, ai vdiq papritmas dhe traktati u injorua. Atëherë komanda iu dha Tiberiusit, i cili më në fund mposhti ilirët. Operacionet ushtarake romake në hapësirat e Ilirikut mund të kenë filluar që nga koha e qeverisjes së Marcus Viniciusit në vitet 14–13 pes. Lufta Panoniane bëri që të bëhet riorganizimi i Ilirikut si një provincë perandorake. [10] [11] [12] [13] [14]
Kryengritja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Aleanca ilire dhe forcat romake
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Revolta e Madhe Ilire e viteve 6-9 es. ishte i vetmi rast në të cilin fiset e ndryshme në hapsirën e Ilirikut u bashkuan kundër romakëve. Fiset kryesore të cilat kanë kontribuar për këtë aleancë ishin Desidiatët, Breukët, Dalmatët, Andizetët, Panonianët, Pirustët, Liburnianët, dhe japodët (dy të fundit duke luftuar nën një udhëheqës të panjohur). [15] Dalmatët udhëhiqeshin nga Bato Desidiati, ndërsa Breukët udhëhiqeshin nga Bato Breuku, komandanti i tyre i ushtrisë dhe Pineji, mbreti i tyre. Burimet kryesore të këtij informacioni janë Dion Kasi (Cassius Dio) dhe Vellei Paterkuli. Ky i fundit edhe vet kishte marr pjesë në luftë, por që megjithatë na jep informacione të kufizuara. Suetoniusi gjithashtu na jep një përshkrim të luftës duke e cilësuar si lufta: "më serioze nga të gjitha luftërat e huaja, nga ato me Kartagjenën, të cilat [Tiberi] i zhvilloi për tre vjet me pesëmbëdhjetë legjione dhe një forcë përkatëse të ndihmësve, në mes të vështirësive të mëdha të çdo lloji dhe maksimumi i mungesave dhe furnizimeve ". [16]
Pretendimet e Suetonit për gjoja pesëmbëdhjetë legjione dihet se nuk janë të sakta. Në një moment ishin dhjetë legjione të grumbulluara në Ilirik, por pesë prej tyre u kthyen përsëri sepse kjo do të kishte qenë një ushtri e tepruar. Në tre raste, tre legjionet nga krahina e Moezisë u përfshinë në luftime dhe në një rast u përfshinë gjithashtu dy legjione nga krahina romake e Azisë. Gjatë gjithë kohës së luftimeve ishin pesë legjione të përqëndruara në Ilirik (tre në Panonia dhe dy në Dalmaci) të cilat ishin të angazhuara në këtë luftë, dhe që përfshinte një zonë shumë të madhe. Për më tepër, kishte edhe njësi të parregullta të rekrutuara në Itali. Kryengritësit kishin një organizim ushtarak efikas i cili paralelizoi me atë të Romakëve, duke pasur parasysh që ata më parë kishin shërbyer dhe ishin stërvitur në njësitë ndihmëse ushtarake romake. Sidoqoftë, ata nuk kishin një ushtri të rregullt dhe mbështeteshin kryesisht në taktikat guerile, duke shmangur betejat frontale. Kështu p.sh ishin zhvilluar vetëm tri beteja kryesore në zonën e Sirmiumit ( Sremska Mitrovica, në Serbinë moderne), në Moezinë veriore dhe një numër betejash të vogla në Dalmaci. Përkundrazi, shumë nga përpjekjet e ushtrisë romake përfshinin operacione kundër-kryengritjes. [17] [18]
Viti 6: Përhapja e revoltës dhe viti i parë i luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 6 es, Tiberius ishte gati të nisë fushatën e dytë kundër Markomanëve në Gjermani. Marcus Valerius Mesalla Messallinus, guvernator i Ilirikut, kishte planifikuar të bashkohej me Tiberiusin bashkë me pjesën më të madhe të ushtrisë së tij, duke i urdhëruar edhe fiset lokale që të siguronin kontigjente ndihmëse. Sidoqoftë, kur këto trupa u mblodhën, ata u rebeluan nën udhëheqjen e një kryetari të fisit të Desidiatëve me emrin Bato Desidiati duke mposhtur një forcë ushtarake romake të dërguar kundër tyre. Edhe pse kjo luftë është përshkruar nganjëherë se është zhvilluar nga Desidiatët dhe Breukët, vetëm Cassius Dio i kishte identifikuar forcat e udhëhequra nga Bato Desidiati si Dalmate, duke treguar një përbërje më të gjerë. Sipas Velleius Paterculusit, popullsia e fiseve që u rebeluan ishte më shumë se 800,000, duke fushuar 200,000 këmbësorë dhe 9,000 kalorës. Studiuesit modernë nuk mund të jenë të sigurt se sa i besueshëm është ky informacion, pasi historianët e lashtë priren të ekzagjerojnë gjërat. Velleius Paterculusi gjithashtu shkruan se kryengritësit njihnin taktikat ushtarake romake dhe mund të flisnin latinisht.
Forcat ilire i ndanë repartet e tyre në tre pjesë. Njëri ishte për të pushtuar Italinë, e cila nuk ishte larg nga Nauportus (një fortesë romake në Slloveninë e sotme); tjetri kishte hyrë tashmë në provincën romake të Maqedonisë ( Greqia e sotme); dhe i treti luftonte në territoret e tyre të lindjes (vendase). Ata zbatuan planin e tyre me shpejtësi, duke masakruar civilët romakë dhe një kontigjent të konsiderueshëm veteranësh të cilët ishin të pafuqishëm në këtë zonë të largët. Ata pushtuan dhe plaçkitën Maqedoninë, duke krijuar panik të përgjithshëm në Romë. Augustusi, gjithashtu i alarmuar, urdhëroi një taksë të përgjithshme madje ftoi edhe veteranët. Familjet e pasura u urdhëruan të furnizojnë të liruarit në proporcion me të ardhurat e tyre, të cilat nuk ishin bërë që pas Betejës së Kanaesë, rreth dy shekuj më parë. Augustusi paralajmëroi se ilirët mund të arrinin në Romë brenda dhjetë ditësh nëse nuk ndërmerrej një veprim drastik kundër tyre. Ai i dha komandën e luftës Tiberiusit. Ushtria Romake ishte organizuar në disa divizione me qëllim të shmangjes së përballjes frontale me forcat e bashkuara të kryengritësve. Vendet e pozicionimit u përcaktuan për të parandaluar depërtimin e tyre eventual për në Romë, si dhe për të prishur linjat e tyre të furnizimit. [19] [20]
Në versionin e Cassius Dio, në fillim, Bato Desidiati kishte shumë pak ndjekës. Sidoqoftë, pasi ai mundi forcën romake të dërguar kundër tij, iu bashkuan edhe kryengritës të tjerë. Atëherë Breukët, fisi më i madh në Panoninë jugore, i udhëhequr nga një komandant i quajtur edhe ai Bato, marshoi në Sirmium. Aulus Caecina Severusi, guvernatori i krahinës fqinje të Moezisë (në Serbinë e sotme, në jug të lumit Sava dhe në perëndim të lumit Danub) marshoi shpejt kundër tyre dhe i mundi ata pranë lumit Dravus (Drava), por pësoi shumë viktima. Duke shpresuar që të rifillojnë luftën së shpejti sepse shumë romakë kishin rënë në luftë, Breukët u bënë thirrje aleatëve të tyre që të bashkoheshin me ta. Cassius Dio nuk specifikoi nëse Severus theu një rrethim të qytetit apo e ndaloi armikun të arrinte në qytet. Drava ishte në veriperëndim të Sirmiumit dhe Romakët nga Moezia duhet të kishin ardhur nga lindja ose jugu. Kështu, nëse Caecina Severusi do të thyente një rrethim të Sirmiumit, ai do të ndiqte tërheqjen e Breukëve deri sa ata të bënin qëndrimin e tyre të fundit. [21] Dalmatët marshuan në Salona (në Dalmaci, në bregdetin e Adriatikut ) por atje ushtria e Bato Desidiatit u mund ndërsa ai vet u plagos. Ai dërgoi njerëz të tjerë që shkatërruan bregdetin deri poshtë në Apoloni. Ata u mundën në një betejë, por fituan një tjetër. Tiberiusi i cili erdhi nga Gjermania, nga frika e një pushtimi të Italisë dërgoi përpara Valerius Mesallinusin. Edhe pse Bato nuk ishte mirë, ai u përball me Tiberiusin i cili ishte më i fortë në betejën e hapur, por u mund në një pritë. Velleius Paterculusi shkruan se Mesallinusi ishte i rrethuar nga 20,000 burra dhe kishte vetëm një legjion me vetëm gjysmën e forcës së tij normale (afërsisht 2.500 burra), megjithatë ai shpërtheu rrethimin e armikut duke korrur një triumf. Me sa duket Valerius Mesallinusi atëherë u dërgua për të mbrojtur Salonën. [22] [23]
Sipas Dion Kasit (Cassius Dio), Bato Desidiati shkoi në lindje te Bato Breuku dhe bëri një aleancë me të. Kjo bie ndesh me përshkrimin e dhënë nga Velleius Paterculus, në të cilën kryengritja dukej se kishte një plan dhe dalmatët së bashku me Breukët dukej se kishin vepruar në bashkëpunim që nga fillimi. Në rrëfimin e Dios, që dy Batot pushtuan malin Alma (Mount Fruška Gora, Serbi, në veri të Sirmiumit); këtu ata u mundën nga kalorësia thrakase e Rhoemetalkut (mbreti i Mbretërisë Odrysiane në Thraki, një aleat i Romakëve), i cili ishte dërguar kundër tyre nga Caecina Severusi, guvernatori i Moezisë. Atëherë ata luftuan kundër Severusit, i cili më vonë u kthye përsëri në Moesi sepse Dakët dhe Sarmatinët kishin kaluar Danubin dhe po zhvillonin luftime shkatërrimtare. Tiberiusi dhe Valerius Mesallinusi qëndruan në Siscia ( Sisak, në Kroacinë e sotme qendrore, ku ishte vendosur selia e ushtrisë romake). Dalmatët pushtuan territorin e aleatëve romakë duke përfshirë edhe shumë fise të tjera në revoltë. Tiberius marshoi mbi ta, por ata shmangën betejat frontale duke vazhduar të lëviznin përreth, me çka i shkaktonin dëme shkatërrimtare ushtrisë romake. Në dimër ilirët pushtuan përsëri Maqedoninë. Cassius Dio shkruan se ata e bënë këtë përsëri, edhe pse ai nuk kishte përmendur një pushtim të mëparshëm të Maqedonisë. Studiuesit modern e njohin këtë gjë përmes shkrimit të Velleius Paterculusit (siç u theksua më lart). Ata u mposhtën nga Rhoemetalku dhe vëllai i tij Rhascipori. Dio nuk përmend asnjë veprim të romakëve atje. Prandaj, nuk dihet se si guvernatori romak i kësaj krahine e trajtoi situatën e krijuar; nuk dihet gjithashtu se si u mor me pushtimin e mëparshëm. Duket se atje më shumë kishte sulme, sesa ndonjë okupim. [24]
Viti 7: Germanicusi në ilirik; rikthimi i trupave nga Mezia dhe Azia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Cassius Dio shkruan se në vitin 7 es. Augustusi dërgoi nipin e Tiberiusit, Germanicusin në hapësirat e Ilirikut sepse mungesa e veprimtarisë së Tiberit e bëri atë të dyshonte se Tiberi me qëllim vononte luftën në mënyrë që të qëndronte nën armë sa më gjatë. Me sa shihet, Augusti nuk ishte i kënaqur me atë që duket ta ketë konsideruar një strategji pasive. Sidoqoftë, Tiberi ishte shumë aktiv dhe po zhvillonte një luftë llogoresh kundër kryengritjes. Kjo strategji më vonë dëshmoi se ishte e duhura. [25]
Germanicusit iu dha një forcë e çlirimtarëve dhe liridashësve. Disa nga këta të fundit ishin kërkuar nga zotërit e tyre, të cilët u kompensuan për këtë. Në Romë kishte një mungesë të drithit. Velleius Paterculus shkroi se forcat kryengritëse në Panonia që përballeshin me Tiberin nuk ishin të kënaqur me madhësinë e forcave të tyre. Ata ishin dërmuar dhe pasi kishin arritur në prag të urisë (me sa duket për shkak të shkatërrimeve të luftës), nuk mund t'i bënin ballë sulmeve të tij prandaj edhe shmangnin betejat frontale. Ata shkuan në Malet Claudian (një varg malesh në Panonia, në Qarkun Varazhdin në Kroacinë veriore) dhe morën një pozicion mbrojtës në fortifikimet natyrore. Në versionin e Velleius Paterculusit, forca e dytë kryengritëse ilire ishte përballur me legjionet të cilat Caecina Severusi dhe Marcus Plautius Silvanusi kishin sjell në hapësirat e ilirikut (tre legjione nga Moesia dhe dy legjione nga krahina romake e Azisë). Ata kishin rrethuar të pesë legjionet, trupat e tyre ndihmëse dhe kalorësinë thrakase duke u shkaktuar një humbje gati-gati fatale. Kalorësia thrakase u shfaros ndërsa kalorësia aleate iku. Legjionet pësuan viktima, por ata pastaj u rigrupuan dhe fituan betejën. Në versionin e Cassius Dio nuk përmendet fare Plautius Silvanus; në vend të kësaj, të dy Batot shkuan për të pritur ardhjen e Caecina Severusit. Ata e sulmuan atë papritur kur ai ngriti një kamp afër kënetave të Volcës, në Panoni, afër Siscia (sot Sisak në Kroaci) por Severus e mposhti sulmin. Pas kësaj beteje ushtria romake u nda për të kapërcyer sa më shumë pjesë të vendit përnjëherësh. Sipas mendimit të Dios, në këtë kohë ata nuk arritën asgjë të vlefshme për të përmendur, përveç që Germanicusi mundi Mazanët, një fis i vogël Dalmatin. Në një pasazh të hershëm ai vuri në dukje se në këtë vit vendi ishte shkatërruar dhe se kryengritësit nuk mund ta mbronin atë. Ata u tërhoqën në kështjellat malore nga të cilat ndërmerrnin sulme sa herë që kishin mundësi. [26] [27] Prandaj, edhe pse nuk kishte beteja spektakolare (me të cilat romakët gjykonin dinjitetin ushtarak), fushata e Tiberit kundër kryengritjes ilire dhe strategjia shoqëruese e saj e tokës së djegur doli të ishte efektive. [28] [29]
Pas betejës së lartpërmendur, Aulus Caecina Severus dhe Marcus Plautius Silvanus iu bashkuan Tiberiusit duke mbledhur një ushtri të madhe. Velleius Paterculus raportoi se ata sollën pesë legjione (tre nga Moesia dhe dy nga krahina e Azisë). Tiberius kishte pesë legjione (tre në Panonia dhe dy në Dalmatia). Legjionet nuk ishin në forcën e plotë pasi Velleius Paterculus përmendi se kishte shtatëdhjetë grupe (realisht dhjetë legjione në komplet do të kishin 100 grupe). Kishte katërmbëdhjetë trupa kalorësish, 10,000 rezervistë, shumë vullnetarë dhe kalorës thrakas. Nuk kishte pasur një ushtri kaq të madhe të mbledhur në një vend të vetëm që nga koha e luftërave civile romake. Tiberi vendosi të shoqërojë ushtritë e sapoardhura sepse ushtria ishte shumë e madhe për të qenë e menaxhueshme. Ai u kthye përsëri në Siscia në fillim të një dimri shumë të vështirë. [30] [31]
Viti 8: Fundi i revoltës në Panonia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 8 es. Dalmatët dhe Panonianët, të dërmuar nga uria dhe sëmundja, donin të kërkonin paqe, por ishin penguar për ta bërë këtë nga kryengritës, të cilët nuk kishin asnjë shpresë se do të kurseheshin nga romakët dhe kështu vazhduan të rezistonin. Tiberi gjatë kësaj lufte kishte ndjekur një politikë të tokës së djegur për të nënshtruar Panonianët. Dion Kasi (Cassius Dio) gjithashtu vuri në dukje se në Romë kishte një mungesë drithi vitin e kaluar dhe se më vonë në këtë vit uria ishte zbutur. Nuk dihet se sa e përhapur ishte kjo uri dhe nëse ajo preku zonat e tjera mesdhetare, përfshirë Dalmacinë dhe Panoninë, duke qenë kështu edhe një faktor kontribues. Sipas Dio, Bato Breuku përmbysi Pinejin, mbretin e Breukëve. Ai u bë dyshues ndaj fiseve të tij madje dhe kërkoi pengje nga garnizonet Panoniane. Bato Desidiati e mundi atë në betejë dhe ai u strehua në një fortesë, ndërsa më vonë iu dorëzua Bato Desidiatit. Pas kësaj shumë Panonianë u prishën me kryengritësit. Marcus Plautius Silvanus zhvilloi një fushatë kundër disa fiseve më të vogla ilire, pushtoi Breukët dhe fitoi mbi të tjerët pa ndonjë betejë. Bato Desidiati u tërhoq më pas nga Panonia, pushtoi kalimet që çonin në Dalmacia dhe shkatërroi tokat përtej. Në Panonia kishte ende disa kryengritës. [32] Velleius Paterculus shkroi se dimri i ashpër solli shpërblime sepse gjatë verës së ardhshme e gjithë Panonia kërkonte paqe. Prandaj, një dimër i keq ndoshta ka luajtur gjithashtu një rol në këtë drejtim. Disa nga Panonianët në krye me Bato Breukun iu dorëzuan Tiberiusit pranë lumit Bathinus (Bosna), madje Bato ua dorëzoi romakëve edhe Pinejin për çka u amnistua nga romakët dhe iu lejua pozicioni si udhëheqës. [33] Pas një kohe Bato Desidiati arriti të robëronte Baton e Breukëve. Pas kësaj Bato Desidiati arriti të rimarrë Panonianët. [34]
Viti 9: Fundi i Revoltës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 9 es. lufta ishte kufizuar në Dalmaci. Velleius Paterculus shkruan se Augustus i dha komandën kryesore të të gjitha forcave romake Marcus Aemilius Lepidus. Në verë, Lepidus u nis për takim me Tiberin përmes zonave që nuk ishin prekur nga lufta, por u sulmua nga forcat e freskëta vendase. Lepidus i mundi ata, shkatërroi fushat dhe dogji shtëpitë, dhe më vonë arriti në takim me Tiberiusin. Kjo fushatë i dha fund luftës. Dy fise më të vogla Dalmate, Pirustët dhe Desidiatët, të cilat kishin qenë thuajse të pakapërcyeshme për shkak të fortesave të tyre malore, kalimet e ngushta në të cilat ata jetonin dhe shpirtin e tyre luftarak, pothuajse ishin shfarosur. [35]
Në vend të kësaj, Cassius Dio shkruajti se Tiberi u kthye në Romë. Germanicusi nuk ishte në gjendje të merrte Splonumin e fortifikuar mirë nga stuhia. Sidoqoftë, kur ra një parapet i murit, banorët i zuri paniku, dhe duke braktisur atë pjesë të murit ikën në kështjellë, ku përfundimisht u dorëzuan. Në Raetinum banorët vendosën një zjarr të ngadaltë. Kur romakët hynë në qytet ata nuk e vunë re atë dhe pastaj u gjetën të rrethuar nga flakët dhe u copëtuan nga muri i kështjellës, shumica prej tyre vdiqën në grackë. Njerëzit në kala do të shpëtonin përmes dhomave nëntokësore gjatë natës. Germanicusi pastaj pushtoi Seretiumin dhe vendet e tjera u dorëzuan me lehtësi. Sidoqoftë, dalmatë të tjerë u rebeluan.
Dion Kasi (Cassius Dio) gjithashtu shkroi se në Itali kishte uri kryesisht për shkak të luftës. Sidoqoftë, duhet të theksohet se në kohën kur shumica e drithit importohej nga Egjipti, krahinat e Afrikës, Siçilia dhe Sardenja, prandaj, nuk është e qartë se si lufta në hapësirat e ilirikut shkaktoi uri në Itali. [36] Augustus e ktheu Tiberin përsëri në Dalmaci. Tiberi e ndau ushtrinë në tre divizione për të shmangur një përballje me kryengritësit. Ai vuri në krye të dy prej tyre Marcus Plautius Silvanus dhe Marcus Aemilius Lepidus dhe udhëhoqi të tretin vet kundër Batos, duke marrë edhe Germanicusin me vete. Dy divizionet e tjera mposhtën lehtësisht fiset e mbetura ilire. Tiberius e ndoqi Baton e arratisur në të gjithë vendin, dhe më në fund e rrethoi në Adetrium, afër Salonës. Ky qytet ishte në një shkëmb dhe ishte i rrethuar nga lugina të pjerrëta. Tiberius e mbajti të rrethuar derisa Bato u detyrua të kërkojë kushte. Sidoqoftë, Bato nuk mund t’i bindte shokët e tij të pranonin armëpushim. Tiberius u nis në sulm kundër kalasë, duke mbajtur një pjesë të forcës së tij në rezervë dhe duke e dërguar pjesën tjetër në sulm në një formacion katror. Terreni i thyer pengoi trupat sulmuese. Kur e panë këtë, dalmatët u rreshtuan jashtë murit në majë të shpatit dhe hodhën gurë mbi ta, duke i ndarë më tej romakët. Tiberius i ndaloi njerëzit e tij të tërhiqeshin duke dërguar vazhdimisht përforcime. Ai ndau një njësi dhe e dërgoi në një pikë ku vendi mund të ngjitej përmes një rrugë të gjatë. Sapo e pushtoi atë ilirët nuk mund të hynin më në kala dhe u arratisën. Ata u gjetën më vonë të fshehur në pyll dhe u vranë. Tiberi atëherë negocioi kushtet e kapitullimit. [37]
Germanicus e ktheu vëmendjen e tij për pozicionet e fundit ilire në Arduba, një qytet i fortifikuar me një lumë rreth bazës së tij. Brenda qytetit, pati një tension midis dezertorëve rebelë që donin të vazhdonin luftën dhe banorëve që donin paqen, e cila përfundimisht eskaloi në dhunë. Gratë thuhet se i ndihmuan dezertorët sepse, në kundërshtim me burrat e tyre, ato nuk donin të vuanin sklavërimin. Dezertorët u mposhtën dhe u dorëzuan. Gratë morën fëmijët e tyre dhe u hodhën në flakët e zjarrit ose në poshtë në greminën e lumit. Cassius Dio nuk specifikoi se çfarë e shkaktoi zjarrin. Qytetet aty pranë u dorëzuan vullnetarisht. Germanicus u bashkua me Tiberin dhe dërgoi Gaius Vibius Postumus për të nënshtruar rrethet e tjera. Bato premtoi të dorëzohej nëse ai dhe pasuesit e tij do të faleshin. Tiberi ra dakord dhe më pas e pyeti pse populli i tij ishte rebeluar. Sipas Dion Kasit (Cassius Dio), ai u përgjigj: "Ju Romakët jeni fajtorët për këtë; sepse ju dërgoni si roje të kopesë suaj, jo qen ose bari, por ujqër". Bato Desidiati [38] Bato Desidiati u dërgua në Romë dhe sipas traditës së kohës u prezentua si trofe lufte ndërsa pjesën tjetër të jetës e kaloi në qytetin e Ravenës (sot qytet në Itali).[39].
Pasojat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Romakët, përveç kryerjes së mizorive [40] gjatë luftës, edhe i përçanë fiset ilire në grupe të ndryshme nga ato që kishin krijuar më parë. Civitatet administrative të Oseriatëve, Colapianëve, dhe Varcianëve u krijuan ndoshta nga Breukët. Anëtarët e fiseve tjera mbase mund të jenë shitur si skllevër [41] ose deportuar në vende të ndryshme, siç janë p.sh. Azalët . [42]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Wilkes, J. J., (1992), p. 183
- ^ Suetonius, The Twelve Caesars, Tiberius, 16, 17
- ^ The Liberator's Civil War (43–42 BC), the Perusine War (41–40 BC) and the Sicilian Revolt (44–36 BC)
- ^ Appian, The Foreign Wars, The Illyrian Wars 12–16
- ^ Julius Caesar, The Alexandrian War, 42–47
- ^ Appian, The Foreign Wars, The Illyrian Wars 16–28
- ^ Cassius Dio, Roman History, 49.38.3
- ^ "Illyricum | Free Online Biblical Library". www.biblicaltraining.org (në anglisht). Marrë më 2018-08-26.
- ^ Dion Kasi (Cassius Dio), Roman History, 54.20.1‑3
- ^ Cassius Dio, Roman History, 54.24.3, 28.1–2, 31.2–3, 36.2 3, 55.2.4
- ^ Velleius Paterculus, Compendium of Roman History, 2.96.2‑3
- ^ Florus, Epitome of Roman History, 2.24
- ^ Suetonius, The Twelve Caesars, Tiberius, 9.2
- ^ Dzino, D., Bellum Pannonicum: The Roman armies and indigenous communities in southern Pannonia 16‑9 BC, p. 471
- ^ M. Zaninović, Liburnia Militaris, Opusc. Archeol. 13, 43–67 (1988), UDK 904.930.2(497.13)>>65<<, page 59
- ^ Suetonius, The Twelve Caesars, Tiberius, 16
- ^ Cassius Dio, Roman History, 55.29
- ^ Velleius Paterculus, Compendium of Roman History, 2.110, 112.1–2
- ^ Cassius Dio, Roman History, 55.29
- ^ Velleius Paterculus, Compendium of Roman History, 2.110
- ^ Radman-Livaja, I., Dizda, M., Archaeological Traces of the Pannonian Revolt 6–9 AD: Evidence and Conjectures, Veröffentlichungen der Altertumskommiion für Westfalen Landschaftsverband Westfalen-Lippe, Band XVIII, p. 49
- ^ Cassius Dio, Roman History, 29–30
- ^ Velleius Paterculus, Compendium of Roman History, 2.112.1–2
- ^ Cassius Dio, Roman History, 55.30
- ^ Radman-Livaja, I., Dizda, M., Archaeological Traces of the Pannonian Revolt 6–9 AD: Evidence and Conjectures, Veröffentlichungen der Altertumskommiion für Westfalen Landschaftsverband Westfalen-Lippe, Band XVIII, p. 49
- ^ Cassius Dio, Roman History, 55.29.6, 31.2, 32.3
- ^ Velleius Paterculus Compendium of Roman History 2.112.3–6
- ^ Cassius Dio, Roman History, 55.29
- ^ Velleius Paterculus, Compendium of Roman History, 2.110, 112.1–2
- ^ Velleius Paterculus Compendium of Roman History 2.113
- ^ Cassius Dio, Roman History, 55.29.6, 31.2, 32.3
- ^ Cassius Dio, Roman History, 55.34.4–7
- ^ Velleius Paterculus, Compendium of Roman History, 2.114.4
- ^ Stipçeviq, Aleksandër (2002) Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit. Toena, Tiranë
- ^ Velleius Paterculus, Compendium of Roman History, 2.114.5, 115-1-4
- ^ This could have been contributed to by Dalmatian or Liburnian piracy in the Adriatic Sea. However, there are no reports of such piracy in this period in the ancient literature. Alternatively, grain might have been diverted to feed the troops in Illyricum, but there are no such reports.
- ^ Cassius Dio, Roman History, 56.11–15
- ^ Cassius Dio, Roman History, 56.11–16
- ^ Smith, Dictionary of Greek and Roman Biography and Mythology Arkivuar 7 qershor 2008 tek Wayback Machine
- ^ Wilkes (1992), page 208.
- ^ Wilkes (1992), p. 207: "... The war was a savage affair and the main resistance to the Romans came from the Breuci and Amantini in the Sava valley. The young males were rounded up and sold as slaves in Italy, a quite exceptional action ..."
- ^ Wilkes (1992), p. 217.
Bibliografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Burimet primare
- Cassius Dio Roman History, Vol 6, Books. 51–65 (Loeb Classical Library), Loeb, 1989;
- Suetonius, (the Life of Tiberius; The Life of The Twelve Caesars, Penguin Classics, revised edition, 2007; (Julius Caesar [10]) accessed July 2016 [1]
- Velleius Paterculus Compendium of Roman History / Res Gestae Divi Augusti (Loeb Classical Library, No. 152), 1867; Harvard University Press (1867); ASIN: B01JXR6R1Q [2]
- Burimet sekondare
- Gruen, E., S., The Expansion of the Empire under Augustus, in: A. K. Bowman, A., K., Champlin, E., Lintot, A., (eds.), The Cambridge Ancient History 10. The Augustan Empire, 43 B.C. – A.D. 69, Cambridge University Press, 1996, pp. 147–197;
- Mócsy, A., Pannonia and Upper Moesia: A History of the Middle Danube Provinces of the Roman Empire (Routledge Revivals), Routledge, 2015;
- Seager, R., Tiberius, Tiberius, (Blackwell Ancient Lives), Wiley-Blackwell; 2ND edition, 2005;
- Radman-Livaja, I., Dizda, M., Archaeological Traces of the Pannonian Revolt 6–9 AD:Evidence and Conjectures, Veröffentlichungen der Altertumskommiion für Westfalen Landschaftsverband Westfalen-Lippe, Band XVIII, Aschendorff Verlag, 210, pp. 47–58 [3]
- Wilkes, J. J., The Danubian and Balkan Provinces, in: Bowman A., L., Champlin E., A.Lintot (eds.), The Cambridge Ancient History 10. The Augustan Empire, 43 B. C. – A. D. 69, Cambridge University Press, 1996, pp. 545–585;
- Wilkes J.J., The Illyrians (The Peoples of Europe), Wiley-Blackwell; New Ed edition, 1996;
Komentet e hollësishme dhe kritike të burimeve janë dhënë në:
- Šašel-Kos, M., A Historical Outline of the Region Between Aquileia, the Adriatic and Sirmium in Cassius Dio and Herodian (Ljubljana 1986), pp. 178–190.
- Swan, P., M, The Augustan Succession: a Historical Commentary on Cassius Dio's Roman History Books 55–56 (9 B.C. – A.D. 14). American Classical Studies 47, pp. 195–222, pp. 235–250. Oxford University Press, 2004;
- A. J. Woodman, A.J., Velleius Paterculus: The Tiberian Narrative (2.94–131) (Cambridge Classical Texts and Commentaries), Cambridge University Press, 2004
Tregime të dobishme historike të ngjarjeve mund të gjenden edhe në:
- Dzino, D. Illyricum in Roman Politics 229 BC – AD 68, Cambridge University Press, 2010, pp. 149–153; [4]
- Wilkes, J. J., Dalmatia, Harvard University Press, 1969; pp. 69–77. ISBN 978-0674189508